Plazhet e Floridës po përballen me një fenomen të pazakontë: pako me kokainë po dalin nga deti dhe po përfundojnë në breg, duke tërhequr vëmendjen e banorëve dhe autoriteteve.
Vetëm gjatë javëve të fundit janë raportuar disa raste. Në Brevard County u gjetën rreth 18 kilogramë kokainë, ndërsa në Florida Keys janë zbuluar pako të tjera, përfshirë një kilogram kokainë pranë Key Largo.
Fenomeni nuk është i panjohur në Florida. Pakot katrore me drogë që notojnë në det ose dalin në breg njihen prej vitesh me nofkën “square grouper”. Autoritetet besojnë se një pjesë e tyre hidhen në det nga trafikantët gjatë transportit ose kur përpiqen t’i shpëtojnë policisë.
Por ndërsa “thesari” që sjell deti mund të vlejë mijëra dollarë në tregun ilegal, autoritetet kanë një paralajmërim të prerë: gjetja e pakos nuk të bën pronar të saj. Mbajtja e kokainës është vepër penale dhe çdo pako duhet raportuar menjëherë në polici.
Në Florida, këtë herë, deti nuk po nxjerr vetëm guaska në breg.


















