Një operacion i madh i shpërndarjes së drogës në Scarborough të Britanisë së Madhe rezultoi se drejtohej nga Shqipëria. Tre shqiptarë që vepronin në terren janë dënuar me rreth 11 vite burg në total, ndërsa udhëzimet për aktivitetin dhe komunikimi me klientët realizoheshin përmes një “linje droge” të vendosur në Shqipëri.
Të dënuarit janë Ervin Shehu, 29 vjeç, nga York-u, Jah Kastrati, 31 vjeç, dhe Azem Lekica, 28 vjeç. Sipas të dhënave të paraqitura në Gjykatën e Kurorës në York, ata merreshin me shpërndarjen e drogës në rrugët e Scarborough, ndërsa personi ose grupi që kontrollonte aktivitetin dyshohet se ndodhej në Shqipëri.
Gjyqtari Sean Morris tha se nuk kishte hasur më parë një çështje të tillë, ku një operacion i rëndësishëm droge drejtohej nga persona, ose ndoshta nga një individ i vetëm, që vepronte nga një shtet tjetër.
Hetimet zbuluan se rreth 10,600 mesazhe u ishin dërguar klientëve të mundshëm përmes një numri telefoni të përdorur si “linjë droge” dhe që operonte nga Shqipëria.
Operacioni u godit më 4 qershor, gjatë një aksioni vëzhgimi të policisë në Scarborough. Azem Lekica u pikas duke kryer transaksione të dyshuara droge pranë Somerset Terrace.
Rreth dy orë më vonë, Lekica u pa duke hyrë me çelës në një apartament në Albion Crescent. Pas një tjetër transaksioni të dyshuar, policia ndërhyri në adresë, ku gjeti 273 qese me kanabis të përgatitura për shitje, me vlerë deri në 9,550 paund.
Hetuesit përdorën më pas një tjetër çelës të sekuestruar Lekicës për të kontrolluar një apartament në Somerset Terrace. Aty gjetën Ervin Shehun dhe sekuestruan kanabis të paketuar për shitje, 79 doza kokainë, telefona celularë, karta SIM dhe dokumente identifikimi.
Në një dhomë tjetër u gjet kokainë me vlerë të përllogaritur nga 3,100 deri në 3,900 paund, si dhe para në dorë, telefona, qese për paketimin e drogës dhe peshore.
Sipas prokurorisë, provat tregonin se Shehu dhe Lekica vepronin nën drejtimin e një personi ose grupi që ndodhej në Shqipëri.
Në gjykatë u bë e ditur se Shehu, i arsimuar në nivel universitar, kishte mbërritur në Britaninë e Madhe rreth dy vite më parë, pasi kishte marrë kërcënime në Shqipëri. Mbrojtja pretendoi se ai kishte pasur një karrierë relativisht të suksesshme përpara se të largohej nga vendi dhe se ishte përfshirë në aktivitetin kriminal për të siguruar të ardhura.
Avokati i Lekicës argumentoi se klienti i tij vepronte kryesisht nën urdhrat e personave që qëndronin më lart në hierarkinë e grupit.
Ndërsa për Kastratin, gjykata dëgjoi se pas mbërritjes në Britani ai kishte punuar në ndërtim dhe si marangoz. Mbrojtja tha se të ardhurat e ulëta nga këto punë e kishin shtyrë drejt përfshirjes në aktivitetin e paligjshëm. Prokuroria pranoi gjithashtu versionin se Kastrati ishte rekrutuar nga dy shqiptarët e tjerë.
Gjatë shpalljes së vendimit, gjyqtari Morris iu drejtua të pandehurve duke i cilësuar si një grup shqiptar të trafikut të drogës dhe nënvizoi se, në mënyrë të pazakontë për një çështje të tillë, kishte pasur komunikim të konsiderueshëm me persona në Shqipëri.
Ai veçoi Shehun dhe Lekicën si dy prej personave me rol të rëndësishëm në aktivitet dhe vlerësoi punën e policisë, e cila çoi në sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme kokaine.
Gjyqtari paralajmëroi gjithashtu për pasojat e tregtisë së kokainës në Britani, duke theksuar se konsumatorët që e konsiderojnë atë thjesht një “drogë feste” duhet të kuptojnë se paratë e tyre përfundojnë duke financuar rrjete kriminale.
Megjithatë, Morris tha se gjatë përcaktimit të dënimeve kishte marrë parasysh faktin se organizatori kryesor i shitjeve, në mënyrë të pazakontë, vazhdonte të ndodhej në Shqipëri.
Ai shtoi se kishte marrë parasysh edhe koston që sjell mbajtja e të dënuarve në burgjet britanike, duke deklaruar se sa më shpejt që tre shqiptarët të ktheheshin në Shqipëri pas përfundimit të dënimeve, aq më mirë.
Ervin Shehu u dënua me katër vjet e gjashtë muaj burg.
Azem Lekica u dënua me katër vjet e tetë muaj burg, një dënim më i rëndë për shkak të një dënimi të mëparshëm për shpërndarje droge në Britaninë e Madhe.
Jah Kastrati u dënua me 20 muaj burg, pasi u pranua se ai ishte rekrutuar në aktivitet nga dy të pandehurit e tjerë.
Në përfundim, gjyqtari u bëri të qartë tre shqiptarëve se, sapo të përfundojnë dënimet e tyre, ata duhet të deportohen drejt Shqipërisë.


















