Nga burgu te Rolls-Royce: shqiptari i dënuar sfidon Home Office me videot e luksit
Një shtetas shqiptar, i dëbuar dy herë nga Mbretëria e Bashkuar për vjedhje, është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes pasi publikoi në rrjetet sociale video ku ushqen qentë me paund dhe shfaqet duke drejtuar një Rolls-Royce Cullinan me vlerë rreth 300 mijë euro në rrugët e Londrës.
Bëhet fjalë për 28-vjeçarin Dorian Puka, i cili, sipas mediave britanike, aktualisht nuk mund të deportohet, pasi ka paraqitur kërkesë për azil. Deri në shqyrtimin përfundimtar të dosjes së tij nga autoritetet dhe gjykatat e emigracionit, ai lejohet të qëndrojë në Britani, një proces që mund të zgjasë me muaj apo edhe vite për shkak të numrit të madh të çështjeve në pritje.
Në videon e publikuar në TikTok, Puka shihet duke filmuar veten teksa drejton automjetin luksoz në periferi të Londrës. Më pas ai e ndalon makinën në një zonë me parkim të ndaluar dhe del për të bërë fotografi pranë saj.
Pak javë më parë, ai kishte publikuar edhe pamje nga festimet e Vitit të Ri në një klub nate në Londër, ku shfaqej duke pirë shisha në shoqërinë e një balerine orientale. Ndërsa vitin e kaluar ai provokoi edhe liderin e partisë Reform UK, Nigel Farage, duke postuar një foto të manipuluar ku shfaqej në një tavolinë darke me një imazh të Farage që i bënte shenjën “thumbs up”. Farage e cilësoi atë si një “kriminel të vërtetë” që po tallet me autoritetet britanike.
Historia e Pukës me drejtësinë britanike nis në vitin 2016, kur u dënua me nëntë muaj burg për tentativë vjedhjeje në një banesë. Pronari i shtëpisë e kishte pikasur përmes kamerave të sigurisë ndërsa ndodhej me pushime në Francë. Pas vuajtjes së dënimit ai u deportua në Shqipëri.
Megjithatë, brenda një viti ai arriti të rikthehej ilegalisht në Britani, ku u përfshi sërish në një seri vjedhjesh në zonat rezidenciale të Londrës. Ai u arrestua pasi oficerë civilë e ndaluan në Surbiton dhe konstatuan se mbante në dorë një orë luksoze të vjedhur. Për këtë u dënua me tre vite e gjysmë burg dhe u deportua për herë të dytë në mars të vitit 2020.
Sipas raportimeve, pas disa muajsh në Shqipëri, Puka udhëtoi përmes Gjermanisë, Belgjikës dhe Holandës, duke arritur të hynte sërish në Mbretërinë e Bashkuar në fund të vitit 2020.
Aktualisht ai ndodhet në liri me kusht, nën mbikëqyrje elektronike, ndërsa pret vendimin për kërkesën e tij për azil. Në rrjetet sociale ai ka publikuar edhe video ku shfaqet duke drejtuar një Ferrari me vlerë rreth 300 mijë paund, si dhe pamje nga pushimet në Cornwall, ku dallohet duke ecur në plazh me byzylykun elektronik në këmbë.
Burimi i të ardhurave të tij mbetet i paqartë. Sipas raportimeve, ai dyshohet se jeton në një apartament me dy dhoma gjumi në Hounslow, në perëndim të Londrës, me një vlerë të përllogaritur rreth 250 mijë paund.


















