Një 40-vjeçar kolumbian është arrestuar në aeroportin e Kartagjenës, pasi tentoi të udhëtonte drejt Amsterdamit me 19 kapsula kokainë të fshehura poshtë një parukeje.
Ngjarja ka ndodhur më 24 shkurt 2025, gjatë kontrolleve të pasagjerëve që udhëtonin në linjat ndërkombëtare.
Parukja që fshehte drogën, si u zbulua 40-vjeçari
Efektivët e Antidrogës, gjatë monitorimit dhe profilizimit të pasagjerëve, dyshuan për sjelljen e një burri me origjinë nga Pereira e Kolumbisë.
Pas kontrollit të detajuar, policët zbuluan se parukja që ai mbante në kokë shërbente si vend për fshehjen e 19 kapsulave me lëndë narkotike.
Testet paraprake konfirmuan se substanca e sekuestruar ishte kokainë.
Mbi 400 doza kokainë me vlerë 10 mijë euro
Sipas autoriteteve kolumbiane, sasia e sekuestruar do të mjaftonte për përgatitjen e më shumë se 400 dozave kokainë, me një vlerë që tejkalonte 10 mijë euro në tregun ndërkombëtar.
Hetuesit dyshojnë se droga kishte si destinacion përfundimtar Amsterdamin, ku 40-vjeçari kishte planifikuar të mbërrinte me avion.
I arrestuari kishte dy precedentë për trafik droge
Nga verifikimet rezultoi se 40-vjeçari kishte dy precedentë penalë për trafikim të lëndëve narkotike.
Pas arrestimit, ai iu dorëzua Prokurorisë së Përgjithshme për veprat penale që lidhen me trafikimin, prodhimin dhe mbajtjen e drogës.


















