Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviç, ka shkaktuar reagime të forta pas një deklarate të bërë gjatë një interviste për një media serbe.
Ministrja, pjesë e qeverisë së presidentit Aleksandar Vuçiç, deklaroi se, nëse do të kishte pasur të njëjtën liri veprimi si ish-presidenti serb Slobodan Millosheviç, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën” gjatë luftës së viteve 1998–1999.
“Për të metat dhe budallallëkun tonë, nëse do të kisha qenë e lirë si Millosheviçi, do ta kisha pastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”, u shpreh Paunoviç.
Deklarata ka ngjallur polemika, pasi përdor termin “spastrimi etnik”, i cili lidhet me krime të rënda sipas së drejtës ndërkombëtare dhe me ngjarjet e luftës në Kosovë. Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet serbe lidhur me këto komente.


















