Pas më shumë se një jave kërkimesh, ende nuk ka asnjë gjurmë nga Erjon Softa, 40-vjeçari shqiptar i cili rezulton i zhdukur në Gjermani që prej 20 korrikut.
Familjarët e tij thanë për Atom News se deri më tani nuk kanë marrë asnjë informacion zyrtar për vendndodhjen e Erjonit, ndërsa shpresojnë që çdo dëshmi e re të ndihmojë në gjetjen e tij.
Sipas vëllait të 40-vjeçarit, ditën e djeshme është kontaktuar nga një person, i cili pretendon se e ka parë Erjonin në stacionin e autobusëve në Berlin.
“Një djalë më kontaktoi dhe më tha se e kishte parë në stacionin e autobusëve në Berlin dhe se kishte hipur në një autobus me drejtim Dresden”, rrëfen ajo.
Megjithatë, pavarësisht këtij informacioni, familja thekson se ende nuk ka asnjë konfirmim për fatin apo vendndodhjen e tij.
Erjon Sota kishte udhëtuar drejt Gjermanisë për pushime, por që prej 20 korrikut ka ndërprerë çdo kontakt me familjen, duke ngritur shqetësime të mëdha tek të afërmit, të cilët vijojnë ta kërkojnë dhe bëjnë apel që kushdo që ka informacion të njoftojë autoritetet ose familjen.


















