Një histori tronditëse ka dalë në dritë në Greqi, ku një 41-vjeçar është dërguar për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda të Larisës, nën akuzën se ka abuzuar seksualisht në mënyrë të përsëritur me vajzën 9-vjeçare të bashkëshortes së tij shqiptare.
Sipas dosjes hetimore të referuar nga Këshilli i Gjykatave të Kundërvajtjeve të Volosit, ngjarja dyshohet se ka nisur në verën e vitit 2023. Në atë kohë, nëna e vajzës, e cila ishte shtatzënë, kishte udhëtuar drejt Shqipërisë, ndërsa e mitura kishte mbetur nën kujdesin e 41-vjeçarit.
Por ajo që nisi gjatë mungesës së nënës dyshohet se u shndërrua në një makth që zgjati për afro dy vite. Sipas akuzës, abuzimi ka vijuar deri në pranverën e vitit 2025, edhe pasi nëna ishte kthyer në Greqi.
E mitura nuk kishte folur për atë që po përjetonte. Sipas hetimeve, ajo dyshohet se ishte mbajtur nën një presion të rëndë psikologjik dhe ishte kërcënuar se familjarët e saj do të pësonin pasoja nëse tregonte të vërtetën.
41-vjeçari dyshohet se e kishte kërcënuar vajzën se do të dëmtonte ose vriste gjyshen dhe xhaxhain e saj nga ana e babait.
Tashmë, pas zbardhjes së çështjes, 41-vjeçari do të përballet me drejtësinë për akuzat e rënda që rëndojnë ndaj tij.


















