Shqipëria po përballet me një tkurrje të ndjeshme të numrit të nxënësve në arsimin fillor, me një ritëm shumë më të lartë se mesatarja e Bashkimit Europian.
Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2024 në arsimin fillor në Shqipëri ishin të regjistruar 141 089 nxënës, nga 146 962 që rezultonin një vit më parë. Brenda vetëm një viti, sistemit arsimor i janë larguar 5 873 nxënës, duke shënuar një rënie prej rreth 4%.
Kontrasti me Bashkimin Europian është i fortë. Në BE, gjatë vitit 2024, në arsimin fillor ishin 23.2 milionë nxënës, vetëm 0.2% më pak krahasuar me vitin 2023, ose një rënie prej 35 153 nxënësish.
Në Shqipëri goditjen më të madhe e ka marrë arsimi publik. Numri i nxënësve në shkollat publike ra nga 130 067 në vitin 2023 në 123 491 në vitin 2024. Kjo do të thotë 6 576 nxënës më pak, ose një tkurrje prej rreth 5.1% brenda një viti.
Në një perspektivë më afatgjatë, panorama europiane është ndryshe. Krahasuar me vitin 2014, numri i nxënësve të arsimit fillor në BE është rritur me 2.9%, ose me rreth 659 mijë nxënës.
Franca kishte numrin më të madh të nxënësve në arsimin fillor në vitin 2024, me 4.1 milionë, e ndjekur nga Gjermania me 3.3 milionë, Spanja me 2.8 milionë dhe Italia me 2.6 milionë. Në skajin tjetër renditen Malta me 27 537 nxënës, Luksemburgu me 43 020 dhe Qipro me 60 596.
Gjatë dekadës së fundit, numri i nxënësve të arsimit fillor është rritur në 15 vende të BE-së dhe është ulur në 11 të tjera për të cilat kishte të dhëna të disponueshme.
Rritjet më të mëdha janë regjistruar në Luksemburg, me 21.4%, dhe Slloveni, me 18.2%. Ndërsa rënien më të fortë e ka pësuar Polonia, me 25.7%, e ndjekur nga Kroacia me 10.3% dhe Portugalia me 10%.
Të dhënat reflektojnë jo vetëm madhësinë e popullsisë, por edhe ndryshimet demografike, si dhe dallimet mes vendeve për moshën e fillimit të arsimit fillor dhe arsimit të detyrueshëm.


















