Markata e Peshkut në Vlorë, tashmë e kaluar në pronësi të Bashkisë Vlorë, i ka hapur rrugë vënies në funksion të një prej investimeve më të rëndësishme për modernizimin e sektorit të peshkimit dhe zhvillimin e ekonomisë blu në Shqipëri.
Gjatë një vizite në Portin e Ri Tregtar, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, inspektoi ambientet e markatës, e cila shtrihet në një sipërfaqe prej 1.300 m² dhe disponon 15 dhoma frigoriferike për ruajtjen e produkteve të peshkimit.
Sipas ministrit Salla, markata do të funksionojë në përputhje me standardet e Bashkimit Europian, duke garantuar siguri ushqimore, formalizimin e tregut të peshkut, rritjen e kapaciteteve të grumbullimit dhe ruajtjes, si edhe krijimin e kushteve për eksport të drejtpërdrejtë të produkteve të peshkimit drejt tregjeve europiane.
Vënia në funksion e kësaj infrastrukture pritet të rrisë vlerën e zinxhirit të peshkimit, të përmirësojë kushtet e tregtimit dhe të krijojë më shumë mundësi për peshkatarët dhe operatorët e sektorit.


















