Vodafone dhe One nën “radarin” e Konkurrencës: çmimet u rritën, paketat u ngushtuan, por nuk u provua marrëveshje mes dy kompanive
Tregu shqiptar i telefonisë celulare merr një goditje të fortë nga gjetjet e Autoritetit të Konkurrencës. Pas një hetimi të thelluar ndaj Vodafone Albania dhe One Albania, Autoriteti konstaton një treg të përqendruar vetëm në duart e dy operatorëve, me rritje të përafërta të çmimeve dhe oferta gjithnjë e më pak të favorshme për konsumatorët.
Sipas hetimit, gjatë periudhës 2022–2025, çmimet e paketave celulare janë rritur në mënyrë progresive, ndërsa operatorët kanë ofruar paketa me struktura dhe përmbajtje shumë të ngjashme. Në të njëjtën kohë, janë reduktuar ofertat me çmime të ulëta, duke e orientuar konsumatorin drejt paketave më të shtrenjta.
Një nga gjetjet më të forta është se tregu funksionon si duopol, pasi Vodafone dhe One zotërojnë së bashku 100% të tregut. Autoriteti evidenton gjithashtu barriera të konsiderueshme për hyrjen e operatorëve të rinj dhe një nivel të kufizuar presioni konkurrues mes dy kompanive.
Çmimet u rritën, paketat u ngjashmuan
Autoriteti konstaton se në disa raste, pas ndryshimeve të bëra nga një operator, tjetri ka reaguar në intervale të afërta kohore me ndryshime të ngjashme në çmime dhe përmbajtje.
Por, pavarësisht këtyre ngjashmërive, hetimi nuk arriti të provojë një marrëveshje apo koordinim të drejtpërdrejtë mes Vodafone dhe One për përcaktimin e çmimeve.
Megjithatë, tabloja e krijuar nga hetimi është e qartë: konsumatorët përballen me një treg ku alternativat janë të kufizuara dhe ku diferencimi mes ofertave të dy operatorëve është i ulët.
Paketat e lira, kryesisht vetëm online
Një tjetër pikë e fortë e evidentuar nga Autoriteti është reduktimi i paketave me çmime të ulëta.
Paketat në nivelet 500–600 lekë, sipas gjetjeve të hetimit, nuk ofroheshin më në pikat fizike të shitjes, por kryesisht përmes kanaleve digjitale. Ndërkohë, paketat standarde me çmime rreth 1,000–1,100 lekë vijonin të kishin përmbajtje të kufizuar interneti, duke i orientuar konsumatorët drejt paketave më të shtrenjta.
Autoriteti vëren se kjo situatë prek veçanërisht konsumatorët me të ardhura dhe konsum më të ulët.
As pensionistë, as studentë në fokus
Një tjetër kritikë e rëndësishme lidhet me mungesën e paketave të dedikuara për kategori të veçanta.
Gjatë hetimit u konstatua se Vodafone dhe One nuk ofronin paketa të posaçme për pensionistët dhe studentët, të përshtatura me nevojat dhe mundësitë e tyre financiare.
Për këtë arsye, Konkurrenca ka detyruar të dy operatorët që brenda 90 ditëve të hartojnë dhe ofrojnë paketa të veçanta për pensionistët dhe studentët 18–23 vjeç, me kushte më të favorshme.
30 ditë kohë përpara se të ndryshojnë paketat
Vendimi vendos gjithashtu një detyrim të drejtpërdrejtë për kompanitë: çdo ndryshim në çmim, përmbajtje apo vlefshmëri të paketave duhet t’u njoftohet individualisht abonentëve të paktën 30 ditë përpara.
Për më tepër, operatorët duhet të dokumentojnë kostot që qëndrojnë pas ndryshimeve tarifore dhe t’ia vënë këtë informacion në dispozicion Autoritetit të Konkurrencës kur kërkohet.
Konsumatori duhet të ketë të drejtë të kalojë në paketë më të lirë
Një tjetër detyrim i rëndësishëm është që abonentët, pas përfundimit të kontratës, të kenë të drejtë të kalojnë nga një plan më i shtrenjtë në një plan më të lirë, pa penalitete apo kufizime të pajustifikuara.
Gjithashtu, procedurat për bartjen e numrit duhet të jenë më të qarta dhe të përcaktojnë saktësisht afatet dhe kushtet që duhet të plotësojë konsumatori.
Hetimi mbyllet, por kompanitë do të jenë nën monitorim
Autoriteti i Konkurrencës vendosi mbylljen e hetimit të thelluar me kushte dhe detyrime, duke theksuar se nuk u provua një praktikë e bashkërenduar mes dy kompanive.
Por kjo nuk do të thotë se çështja mbyllet përfundimisht.
Vodafone Albania dhe One Albania do të jenë nën monitorim për një vit, ndërsa moszbatimi i detyrimeve të vendosura mund të sjellë penalitete.
Në thelb, vendimi i Konkurrencës nxjerr në pah një treg ku dy kompani kontrollojnë të gjithë telefoninë celulare, çmimet janë rritur, ofertat janë bërë më të ngjashme dhe alternativat e lira janë zvogëluar. Edhe pse nuk u provua një marrëveshje mes operatorëve, Autoriteti ka ndërhyrë për t’i detyruar ata të rrisin transparencën dhe të krijojnë më shumë alternativa për konsumatorët.


















