Një familje nga Elbasani ka ngritur alarmin pas zhdukjes së djalit të tyre 12-vjeçar, i cili rezulton i humbur prej gati dy javësh.
Sipas nënës së të miturit, Arjanito është larguar nga banesa më 15 korrik. Dy ditë më vonë, më 17 korrik, familja ka bërë kallëzim në Policinë e Elbasanit, por deri më tani nuk ka marrë asnjë informacion për vendndodhjen e tij.
Nëna tregon se djali është larguar edhe herë të tjera nga shtëpia, por në të gjitha rastet është gjetur pas pak ditësh. Këtë herë, megjithatë, shqetësimi është shumë më i madh, pasi kanë kaluar rreth dy javë pa asnjë kontakt.
Sipas saj, ditën e largimit, 12-vjeçari ka dalë fshehurazi nga banesa përmes ballkonit, ndërsa familjarët ishin në gjumë.
Familja ka marrë disa informacione jozyrtare se ai mund të jetë parë në Durrës, ndaj nëna është nisur edhe vetë drejt qytetit me shpresën për ta gjetur.
Të afërmit u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që, nëse kanë parë Arjaniton ose kanë ndonjë informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e tij, të kontaktojnë në numrin +355 69 395 4449.
Çdo informacion, sado i vogël, mund të jetë vendimtar për ta rikthyer të miturin pranë familjes.


















