Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur në Kamëz, humb jetën 27-vjeçari Ardian Baloshi
Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur në Kamëz, ku ka mbetur i vrarë 27-vjeçari Ardian Baloshi.
Sipas të dhënave nga hetimi, i riu është qëlluar me armë zjarri dhe është goditur nga një plumb në kokë, plagë që i ka shkaktuar vdekjen. Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar 10 gëzhoja, çka tregon se ndaj viktimës është qëlluar disa herë.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se në momentin e sulmit me Ardian Baloshin ndodhej edhe një person tjetër. Dyshohet se autori ka qëlluar edhe në drejtim të tij, por ai ka arritur të shpëtojë pa pësuar lëndime.
Policia ka identifikuar si autor të dyshuar të ngjarjes Sadik Llanajn, i cili është shpallur në kërkim. Për kapjen e tij, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka vënë në dispozicion një shpërblim prej 10 mijë eurosh për çdo informacion që çon në arrestimin e tij.
Hetuesit po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit, ndërsa një nga pistat që po verifikohet lidhet me një konflikt të mëparshëm mes viktimës dhe autorit të dyshuar.
Ndërkohë, kërkimet për kapjen e Sadik Llanajt vijojnë, teksa autoritetet e konsiderojnë atë person me rrezikshmëri të lartë dhe dyshohet se mund të jetë i armatosur.


















