Mobilizimi i shqiptarëve ka nisur në Hagë, ku qytetarë të shumtë janë mbledhur pranë selisë së Dhomave të Specializuara të Kosovës, në pritje të shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Pamjet nga Haga tregojnë qytetarë të ardhur nga vende të ndryshme, ndërsa në zonën pranë Gjykatës Speciale janë parë edhe flamuj të UÇK-së. Të pranishmit janë mbledhur në shenjë mbështetjeje për ish-drejtuesit e UÇK-së, ndërsa vëmendja është përqendruar te vendimi që pritet të shpallet pas një procesi gjyqësor disa-vjeçar.
Mobilizim ka edhe në Kosovë. Në Prishtinë është zhvilluar aktiviteti “Flaka e Lirisë”, ndërsa në shesh janë vendosur portretet e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.
Katër ish-krerët e UÇK-së përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata janë deklaruar të pafajshëm, ndërsa ekipet e tyre mbrojtëse kanë kërkuar lirimin e tyre.
Aktgjykimi që pritet të shpallet është i shkallës së parë dhe mund të ankimohet si nga mbrojtja, ashtu edhe nga prokuroria.


















