Një operacion i madh i Policisë Metropolitane britanike ka goditur një rrjet të dyshuar kriminal shqiptar në perëndim të Londrës, duke çuar në arrestimin e 10 personave dhe sekuestrimin e sasive të konsiderueshme të drogës, armëve, parave dhe sendeve luksoze me vlerë rreth 200 mijë paund.
Operacioni u zhvillua pas një hetimi dyvjeçar, gjatë të cilit autoritetet britanike kishin mbledhur informacione për veprimtarinë e një organizate të dyshuar kriminale të përfshirë në importimin dhe shpërndarjen e drogave të klasës A, tregtimin e mallrave të falsifikuara dhe shfrytëzimin e një ambienti prostitucioni në zonën Hounslow.
14 adresa nën kontroll, policia bastis edhe banesën e drejtuesit të dyshuar
Forcat speciale të policisë ndërhynë njëkohësisht në 14 adresa në perëndim të Londrës, duke kontrolluar banesa, një minimarket, një lokal dhe ambiente të tjera që dyshohej se përdoreshin nga grupi.
Një nga objektivat kryesore ishte banesa e drejtuesit të dyshuar të organizatës, të cilën hetuesit e kishin pagëzuar me emrin “shtëpia njëmilionpaundëshe”.
Rreth orës 05:00 të mëngjesit, efektivët shpërthyen derën e përforcuar me shufra çeliku, duke përdorur pajisje speciale. Policia ishte pajisur edhe me mburojë elektrike për t’u mbrojtur nga qentë potencialisht të rrezikshëm.
Megjithatë, personi kryesor që kërkonin nuk ndodhej në banesë. Brenda saj u arrestua një grua, që besohet të jetë bashkëshortja e tij.
Pak më vonë, një tjetër skuadër policore konfirmoi se kishte lokalizuar të dyshuarin në një adresë tjetër, ku ai ndodhej në shoqërinë e një gruaje tjetër.
Zbulohet ambienti i dyshuar i prostitucionit, katër gra dhe dy burra brenda
Një nga zbulimet më shqetësuese të operacionit ishte një ambient në Hounslow, i dyshuar se përdorej për prostitucion.
Policia, së bashku me autoritetet e emigracionit, hyri në ndërtesën që ndodhej në një rrugicë të ngushtë. Në dhomat e vogla u gjetën katër gra dhe dy burra.
Gjatë kontrollit u zbuluan edhe armë të ftohta, mes tyre thika të mëdha të tipit zombie, një kosë dhe një sëpatë.
Hetuesit po verifikojnë nëse personat e gjetur në ambient ishin viktima të shfrytëzimit dhe nëse organizata përdorte kërcënimin ose dhunën për të kontrolluar persona të cenueshëm.
Rolex, automjete luksoze dhe mijëra paund, çfarë sekuestroi policia
Gjatë kontrolleve në banesa dhe ambiente tregtare, policia sekuestroi automjete, një orë Rolex dhe sende të tjera luksoze me vlerë të përllogaritur rreth 200 mijë paund.
U sekuestruan gjithashtu rreth 30 mijë paund para të gatshme, armë të ftohta dhe sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike.
Në një minimarket, efektivët hapën me pajisje prerëse grilën metalike dhe kontrolluan edhe hapësirat mbi tavanin e varur, në kërkim të drogës dhe cigareve të falsifikuara.
Në disa ambiente u zbuluan qese të mëdha plastike me substanca që dyshohet se janë ketaminë dhe kanabis.
Gjatë kontrollit të fundit, rreth orës 08:30, në një tjetër adresë në Hounslow u gjet një sasi kanabisi e fshehur brenda një çante rrobash në hyrje të pronës.
Hetuesit: Droga ishte vetëm një pjesë e aktivitetit të dyshuar kriminal
Kryeinspektori i detektivëve Garth Hall shpjegoi se hetimi kishte nisur nga informacionet e mbledhura nga policët lokalë gjatë kontrolleve në terren.
Sipas tij, gjatë 18 muajve të fundit hetuesit ishin përqendruar në identifikimin e strukturës së grupit, personave të përfshirë dhe lidhjeve mes aktiviteteve të ndryshme kriminale.
Autoritetet dyshojnë se rrjeti nuk merrej vetëm me trafik droge, por edhe me shfrytëzimin e personave të cenueshëm, duke përdorur banesat e tyre për të fshehur lëndë narkotike dhe para.
Operacioni përfundoi me 10 arrestime, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar rolin e secilit person, origjinën e pasurive të sekuestruara dhe shtrirjen e plotë të organizatës së dyshuar kriminale.
Deri tani, arrestimet dhe dyshimet e policisë nuk përbëjnë provë fajësie për personat e përfshirë.


















