Nga 61 në 46 bashki, një hartë e re territoriale dhe një reformë zgjedhore që pritet të ndezë përplasjen politike. Pas pushimeve, deputetët rikthehen sot në Kuvend për një sesion parlamentar që pritet të ketë në qendër dy prej reformave më të rëndësishme dhe më të debatueshme.
Seanca e parë plenare e sesionit të tretë të legjislaturës së 11-të është parashikuar të nisë në orën 17:00.
Mbledhja e sotme pritet të ketë kryesisht karakter ceremonial, ndërsa axhenda konkrete e Parlamentit do të marrë formë me miratimin e programit dhe kalendarit të punimeve për periudhën në vijim.
Përpara se deputetët të ulen në sallën e seancave plenare, në orën 11:00 pritet të mblidhet Konferenca e Kryetarëve. Në këtë takim do të diskutohet projektprogrami i punës së Kuvendit dhe projektkalendari i punimeve.
Vëmendja gjatë sesionit të ri pritet të përqendrohet veçanërisht te reforma zgjedhore dhe ajo administrative-territoriale.
Kjo e fundit pritet të sjellë debate të forta politike, pasi Partia Socialiste ka depozituar një propozim për ndryshimin e organizimit aktual të pushtetit vendor.
Sipas propozimit të socialistëve, numri i bashkive në Shqipëri do të reduktohej nga 61 në 46, duke sjellë një rikonfigurim të ndjeshëm të hartës administrative të vendit.
Me rikthimin e deputetëve në Kuvend, nis kështu një sesion ku përplasja politike pritet të zhvendoset nga pushimet e verës drejt dy reformave që mund të ndryshojnë rregullat e zgjedhjeve dhe hartën e pushtetit vendor.


















