Regjisori dhe skenaristi amerikan Carl Rinsch është dënuar në Nju Jork me dy vjet e gjysmë burg për mashtrim ndaj Netflix-it me 11 milionë dollarë.
Sipas prokurorisë, Rinsch kërkoi fonde shtesë për përfundimin e serialit fantastiko-shkencor “White Horse”, por paratë i transferoi në llogarinë e tij personale. Një pjesë i humbi në investime të pasuksesshme, ndërsa pjesën tjetër e shpenzoi për blerje luksoze, përfshirë makina, ora, veshje të shtrenjta dhe shlyerje borxhesh.
Rinsch, i njohur për filmin “47 Ronin”, tha në gjykatë se veprimet e tij u ndikuan nga problemet e shëndetit mendor dhe medikamentet. Megjithatë, gjykatësi Jed S. Rakoff vlerësoi se kjo nuk e justifikonte mashtrimin e qëllimshëm.
Përveç dënimit me burg, 48-vjeçari është urdhëruar t’i kthejë Netflix-it 11 milionë dollarë dëmshpërblim.


















