Shqipëria do të bëhet pjesë e sistemit evropian të pagesave të menjëhershme duke nisur nga muaji nëntor, një zhvillim që pritet të ndryshojë mënyrën se si qytetarët dhe bizneset kryejnë transfertat bankare.
Lajmi u konfirmua nga Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, e cila bëri të ditur se Shqipëria, së bashku me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, do t’i bashkohet platformës TIPS, sistemi i pagesave të shpejta të Eurosistemit.
Me aktivizimin e këtij sistemi, transfertat e parave do të realizohen në vetëm pak sekonda, 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, pa u kufizuar nga oraret e bankave. Kjo pritet të lehtësojë ndjeshëm pagesat mes individëve dhe bizneseve, duke ulur kostot dhe duke nxitur përdorimin e pagesave elektronike.
Banka e Shqipërisë po përmbyll përgatitjet teknike për lidhjen me platformën, ndërsa bankat e nivelit të dytë kanë nisur procesin e integrimit, i cili do të zbatohet gradualisht.
Një nga risitë më të rëndësishme do të jetë mundësia për të kryer pagesa përmes kodeve QR, duke u ofruar bizneseve një alternativë më të lirë dhe më praktike ndaj terminaleve POS. Integrimi në TIPS konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit financiar shqiptar dhe afrimit të tij me standardet e Bashkimit Evropian.


















