Situatë e rënduar raportohet në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku dhjetëra persona të plagosur gjatë protestës së sotme po paraqiten për të marrë ndihmë mjekësore.
Pamjet dhe informacionet që vijnë nga spitali krijojnë përshtypjen e një situate të jashtëzakonshme, që i ngjan një skene lufte.
Sipas informacioneve paraprake, pjesa më e madhe e të plagosurve janë protestues, por nuk mungojnë as efektivët e policisë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Disa prej të lënduarve raportohet se kanë nevojë për trajtim nga mjekët specialistë, ndërsa ende nuk ka një bilanc zyrtar mbi numrin e personave të plagosur dhe gjendjen e tyre shëndetësore.
Mbetet e paqartë sa prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë dhe nëse ka persona që rrezikojnë jetën.
Bilanci i plotë i përplasjeve dhe pasojat e tyre pritet të sqarohen nga autoritetet shëndetësore.

















