Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka rikthyer retorikën e tij ndaj Kosovës me deklarata që pritet të shkaktojnë reagime në rajon. Gjatë ceremonisë së diplomimit të kadetëve të rinj të Forcave të Armatosura serbe në kazermën “Gjenerali Jovan Mishkoviq” në Banjicë, ai deklaroi se “Kosova është pjesë e Serbisë” dhe se duhet “mbrojtur”.
Në fjalën e tij para ushtarakëve të rinj, Vuçiç theksoi se ata janë garantues të sigurisë së Serbisë dhe duhet të jenë të përgatitur për sfidat që i presin. Ai pretendoi se Kosova është pjesë e Serbisë sipas Kushtetutës së vendit dhe shtoi se ajo duhet mbrojtur “pa sulmuar askënd dhe pa kërcënuar askënd”.
Presidenti serb nuk kurseu kritikat edhe ndaj marrëveshjes së bashkëpunimit ushtarak mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, duke pretenduar se ajo është e drejtuar kundër Serbisë. Sipas tij, Beogradi do të vazhdojë të forcojë kapacitetet e ushtrisë, ndërsa deklaroi se Forcat e Armatosura serbe janë sot më të pajisura dhe më të fuqishme se kurrë më parë.
Deklaratat e Vuçiç vijnë në një periudhë tensionesh të vazhdueshme mes Beogradit dhe Prishtinës, ndërsa dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mbetet i bllokuar. Retorika e presidentit serb pritet të nxisë reagime të reja politike në Kosovë dhe në vendet e rajonit, veçanërisht pas kritikave të tij ndaj bashkëpunimit ushtarak mes Tiranës, Prishtinës dhe Zagrebit.


















